Postuar më: 19 Tetor 2016

Lejet e Ndërtimit Online - Shërbimi e-Leje

Dokumentet e bashkangjitur

Nga 1 shtator 2016, aplikimi për leje ndërtimi në të gjithë Shqipërinë është i detyrueshëm vetëm në mënyrë elektronike. Prej kësaj date, çdo qytetar apo biznes duhet të aplikojë vetëm në portalin e-Albania, për t'u pajisur me leje ndërtimi.

Dhënia e lejeve në kohë, pa vonesa dhe sorollatje të qytetarëve, është përgjegjësi kyçe e bashkive dhe institucioneve. Kjo për faktin se, pas vënies në funksionim të sistemit online për lejet e ndërtimit, bashkia nuk do të kërkojë nga qytetarët dokumentacionin që e disponon vetë administrata publike.

Sistemi elektronik i lejeve do të bëjë të mundur realizimin e shërbimit me një ndalesë për lejet e ndërtimit (One Stop Shop): aplikimi do t’i dërgohet bashkisë dhe bashkia do të kryejë vetë – përmes sistemit - të gjithë bashkërendimin me institucionet e tjera publike, me afate të qarta dhe pa vonesa (nëse institucionet nuk përgjigjen brenda 10 ditësh, kërkesa konsiderohet e miratuar në heshtje).

Afati i shqyrtimit të lejes së ndërtimit nga bashkia është 15 ditë, ndërsa institucionet e tjera që duhet të japin mendimin e tyre në lidhje me lejen, duhet të përgjigjen brenda 10 ditëve pune.

Në rast se institucionet publike nuk i japin përgjigje bashkisë brenda 10 ditëve pune, miratimi/pëlqimi i tyre konsiderohet i dhënë në heshtje dhe bashkia mund të vijojë  më tej me shqyrtimin e aplikimit.

Në çdo rast të mungesës së përgjigjes nga bashkia, brenda 60 ditësh nga dorëzimi i kërkesës së aplikuesit, sistemi gjeneron vendim për miratimin në heshtje.

Bashkërendimi me të gjitha institucionet që duhet të japin mendimin e tyre mbi lejen e ndërtimit (p.sh. IMK, ZRPP, Shërbimi Arkeologjik, etj.) do të kryhet përmes sistemit elektronik të lejeve, nga bashkia përgjegjëse. Mbledhja e tarifave të shërbimit për të gjitha institucionet, do të kryhet nga bashkia, si zyrë e shërbimit me një ndalesë, përmes sistemit.

Gjithashtu, nëpërmjet sistemit, do të sigurohet njoftimi i vazhdueshëm i aplikuesve lidhur me statusin e kërkesës së tyre.

Ky sistem do të sigurojë unifikimin e procedurave dhe standardizimin e formateve për të gjitha bashkitë në sistem. 

Sistemi do të kryejë përllogaritjen automatike të afateve të shqyrtimit të kërkesës dhe do të evidentojë dhe informojë nëpunësit për vonesat e mundshme.

Por, jo të gjitha ndërhyrjet që dëshironi të bëni në banesën tuaj, kanë nevojë për leje ndërtimi. Janë një sërë punimesh, për të cilat nuk ka nevojë të pajiseni me leje ndërtimi. Kliko këtu për tu njohur me rastet kur nuk kërkohet leje ndërtimi.

Për të kryer aplikimin, qytetarët do të regjistrohen në portalin e-Albania, duke mundësuar përdorimin e shërbimit të aplikimit online të e-lejeve. Gjatë aplikimit, do të realizohet ndërlidhja me institucionet e tjera publike, nëpërmjet databazës së ZRPP, QKR, DPGJC në formë automatike, për të marrë dhe vlerësuar të dhënat e aplikuesit. 

 

Cit. Artikulli Origjinal Hartuar nga MZHU (link)

 

 

VIDEO ILUSTRUESE PER e-LEJE